Personeli në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës kontrollojnë pasagjerët që arrijnë në Shqipëri.
Personeli në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës kontrollojnë pasagjerët që arrijnë në Shqipëri.
Në Shqipëri ka shkuar në 475 numri i të prekurve nga COVID-19, me 8 raste të reja në 24 orët e fundit, nga 236 testime sa janë kryer në gjithë vendin. Ndërkaq, deri më tani 24 qytetarë kanë humbur jetën nga koronavirusi.
Eugena Tomimi nga Instituti i Shëndetit Publik ka bërë me dije se pa marrë parasysh trendit të uljes së rasteve të prekura në vend, Ministria e Shëndetësisë po vijon punën në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitive.
“Prirja e pozitivitetit të mostrave të testuara tregon një qëndrueshmëri të rasteve të konfirmuara, kryesisht gjatë dy javëve të fundit”, u shpreh Tomini.
Tashmë ka filluar testimi më intensiv i personelit shëndetësor, sidomos në qytetin e Shkodrës, ku për dallim prej vendeve tjera në vend, ka një trend të rritjes së numrit të të prekurve.
“Dje janë testuar 236 persona të dyshuar nga të cilët 45 janë personel shëndetësor, kryesisht në spitalin e Shkodrës. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 8 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 6 raste në Tiranë, 1 personel shëndetësor në Shkodër dhe 1 personel shëndetësor në Kukës”, tha Tomini.
Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.
Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.
Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.
Gjatë 24 orëve të fundit, 16 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 248. Megjithatë, dhjetëra pacientë të tjerë vazhdojnë të jenë të shtruar në spitalet infektive.
“Ju informojmë se në shërbimin infektiv aktualisht janë 37 të shtruar. Pesë pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 prej tyre janë të intubuar. Në spitalin COVID 2 ‘Shefqet Ndroqi’, janë 9 pacientë të shtruar. Shtatë pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 4 prej tyre janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 46 pacientë”, bëri të ditur Tomini.
Harta e të prekurve nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri, shtrihet për herë të parë në Kukës dhe zgjerohet në Tiranë dhe Shkodër.
Një ekip vullnetarësh dezinfektojnë ambientet e një teatri në qytetin kinez Vuhan, ku u shfaqën rastet e para me COVID-19.
A e tregojnë shifrat historinë e vërtetë të pandemisë së koronavirusit?
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ka kërkuar qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit fizik.
“Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri-tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale”, nënvizoi Tomini.
Në anën tjetër, Shqipëria nga e hëna e kësaj jave ka lehtësuar masat e ndalimit të qarkullimit të qytetarëve duke e shtyrë orën e mbylljes në shtëpi nga 13:00 në 17:30.
Ky vendim u mor pasi kryeministri i vendit, Edi Rama, tha se vendi ka treguar trend të uljes së rasteve dhe përhapjes së virusit duke respektuar rregullat e izolimit dhe distancimit fizik.
Po ashtu, vendi është duke u përballur me frikën e një kolapsi të mundshëm ekonomik, meqë një nga shtyllat e tij më të forta është turizmi.
Ekspertët e ekonomisë kishin thënë se tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit të vitit të kaluar, e kishte dëmtuar turizmin në vend, por përhapja e koronavirusit do ta thellojë dëmin dhe si pasojë shumë biznese do të falimentojnë dhe shumë qytetarë do të mbesin pa punë.
Megjithatë, qeveria ka marrë kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për të përballuar këtë krizë dhe premton se do të ndihmojë bizneset e qytetarët që të rimëkëmben pas përfundimit të pandemisë.
Shqipëria, pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësive natyrore ka ndarë 6.41 miliardë lekë (rreth 5 milionë euro) për të shpërndarë ndihmë te personat që kanë mbetur pa punë gjatë kësaj periudhe të cilët do të marrin pagën minimale nga qeveria, e quajtur si “paga e luftës”.
Shqipëria po ashtu synon të bëjë ndryshime në Kodin Penal përmes një seance plenare të thirrur për ditën e enjte.
Në seancën e radhës që do të mbahet më 16 prill, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë pritet të kalojë një sërë ligjesh, duke nisur nga ashpërsimi i Kodit Penal për të gjithë ata persona që thyejnë karantinën, sanksionet e reja për dhunën në familje dhe disa çështje të tjera si paketa anti-KÇK dhe Ligji i pronave.
Sipas një njoftimi në faqen zyrtare të kuvendit, kjo seancë do të zhvillohet në masa strikte, ku deputetët do të detyrohen të masin temperaturën, të vendosin maska dhe doreza, si masa mbrojtëse kundër COVID-19. /Rel/