Milot Rashica është transferuar te skuadra e promovuar në Premier League të Anglisë, Norwich City. Lajmi është konfirmuar nga të dyja skuadrat.
Ylli i Kosovës me Norwich Cityn ka firmosur kontratë katërvjeçare. Nuk është bërë e ditur shuma e dëmshpërblimit, ndonëse sipas “Transfermarkt.de”, shuma sillet në rreth 11 milionë euro.
“Jam shumë i lumtur që do të luajë në prani të tifozëve të Norwichit dhe në Premier League. Sigurisht do të jap më të mirën në çdo ndeshje për këtë klub të futbollit dhe shpresoj t’i gëzojë tifozët me shumë gola e asistime. Mezi po pres të fillojë”, ka thënë Rashica. “Di disa gjëra për këtë klub, veçanërisht stilin e lojës nën drejtimin e trajnerit Daniel Farke. Do të vazhdojë të mësojë dhe të zhvillohem si lojtar dhe person. Mendoj se stili i lojës këtu më përshtatet shumë mirë”.
Rashica te Werder Bremeni kishte luajtur në elitën gjermane për tri vjet e gjysmë. Shënoi 27 gola në 100 paraqitje në të gjitha garat.
“Kam shikuar shumë ndeshje të Norwichit në Premier League. Gjithmonë ka qenë ëndërr për mua të luaj në Premier League dhe jam i lumtur që Norwichi më ka dhënë këtë mundësi. Kam luajtur disa ndeshje në Angli më herët”, tha Rashica, i cili i është drejtuar tifozëve të Werderit me një letër lamtumirëse në Facebook.
Trajneri i Norwichit, Farke e ka vlerësuar lartë reprezentuesin e Kosovës.
“Me Milotin ne kemi siguruar një lojtar shumë interesant dhe jemi shumë të lumtur që kemi qenë në gjendje ta sjellim këtu. Shumë klube të mëdha ishin të interesuara në të stinorët e fundit dhe shpesh përflitej për shuma të mëdha. Në Gjermani ai kaloi kohën në Werder Bremen, që pati telashe stinorin e fundit. Por, Miloti është lojtar me potencial të plotë. Është i shpejt dhe i mençur në lëvizjet e tij, i mirë teknikisht dhe me realizim fenomenal e asistime. Ndonëse është ende i ri ka luajtur shumë ndeshje në nivelin më të lartë. Ai është lojtar që mund të bëjë gjëra të jashtëzakonshme në sulm. Ne kemi ndjesinë se me moshën, aftësitë, potencialin dhe personalitetin, ai do të përshtatet shumë mirë në grup. Shpresojmë se ai do të ndihmojë lojën tonë ofensive. Ai mund të luajë në disa pozita, në krah, sulm dhe si dhjetëshe. Është një lojtar i gjithanshëm dhe jemi të lumtur që kemi sjellë një lojtar të tillë”, ka thënë Farke.
Rashica ishte transferuar te Vitesse nga Kosova e Vushtrrisë në korrik të vitit 2015. Te klubi holandez luajti deri në janar të vitit 2018, kur iu bashkua Werder Bremenit për 7 milionë euro.
Te Werderi arriti të impresiononte në Bundesligë. Stinorin e kaluar ishte përmendur si kandidat për t’u transferuar te klubet e mëdha si Liverpool e Bayern Muenchen. Ishte raportuar edhe për një transferim të mundshëm te RB Leipzigu, por nuk u realizua transferimi, mbeti te Werderi.
edicion me Werderin luajti 26 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa shënoi tre gola e asistoi pesë tjerë. Por, Werderi nuk arriti të qëndronte në Bundesligë, kështu që pritej largimi i Rashicës.