Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, njoftoi se të hënën janë konfirmuar 671 vdekje të reja nga koronavirusi, duke e rritur numrin e viktimave në 10.056.
Ai shprehu besimin se “më e keqja ka mbaruar” pasi spitalet duket se po arrinin tavanin e shkallës së të infektuarve dhe vdekjeve të reja.
“Kurba është në thelb e sheshtë por ka arritur në nivel pikëllues”, tha Cuomo.
Nju Jorku ka më shumë raste të të infektuarve me koronavirus, sesa secili shtet tjetër në Shtetet e Bashkuara, tregojnë të dhënat e fundit.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në SHBA ka arritur në 558,999, ndërsa 22,154 persona kanë vdekur.