39-vjeçarja nga Istogu ka lënë dy fëmijë, para se të sëmurej ka qëndruar te familja në Skenderaj

Një grua 39-vjeçare nga fshati Lluga i Istogut, është viktima e tetë në Kosovë nga COVID-19. Ajo është rasti i parë që u diagnostikua me këtë sëmundje nga komuna e Istogut. Drejtori i Shëndetësisë i kësaj komune ka dhënë detaje për Gazetën Express për rrugën që kishte bërë 39-vjeçarja deri në testimin për koronavirus

39-vjeçarja nga fshati Lluga i Istogut, e cila kishte edhe sëmundje tjera përcjellëse ishte operuar në QKUK, e më pas ishte diagnostikuar me virusin COVID-19.

Por para se të rezultonte pozitive në testimin për koronavirus, tashmë e ndjera, kishte shkuar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Istog për kontroll.

Pasi gjendja shëndetësore e saj nuk ishte stabile, nga Istogu e çuan në Spitalin Rajonal të Pejës ku qëndroi dy ditë.

Drejtori i Shëndetësisë së Istogut, Mujë Osmanaj, ka treguar për Gazetën Express se si erdhi deri tek diagnostikimi i pacientes me COVID-19 dhe rruga që bëri ajo derisa u kuptua se është prekur nga virusi.

“Në të tri hallkat e këtij zinxhiri, në QKMF në Istog, në Spitalin e Pejës dhe në QKUK, nuk është dyshuar fare për COVID-19. Ka pasur probleme me lukth, idhëz e të tjera, është dërguar fillimisht në Pejë në njësinë koronare, atje e kanë mbajtur dy ditë, pasi i kanë bërë CT-të dhe të tjerat ka dalë që nuk është mirë prej mushkërive, pastaj e kanë dërguar në Prishtinë,. Atje e kanë operuar, e kanë pa të nevojshme, ne në fakt dyshojmë se si ka mundur të hyjë në operacion në atë gjendje kur i  ka pasur mushkëritë keq. Kur e kanë pa se nuk po kthjellet pas operacionit, sigurisht dikush prej mjekëve ka dyshuar dhe ia kanë bërë analizat”, ka deklaruar Osmanaj.

Derisa ai ka theksuar se sipas informatave të para gruaja nga fshati Lluga kishte qenë në vizitë tek familja e saj në Klinë të Ulët të Skenderajt.

“Pista e hetimeve shkon pak më largë, sepse në Istog nuk kemi pasur raste dhe nuk mund të dimë nga kanë ardhë. Sipas informatave, ajo ka qenë tek familja e vet një javë përpara, në Klinën e Ulët në Skenderaj, ndonëse edhe Skenderaj nuk ka qenë i prekur por e dimë se ka pacientë asimptomatikë që mund ta përcjellin virusi”, ka deklaruar ai në një lidhje direkte për Express.

Ndërkohë Osmanaj ka treguar se fëmijët e 39-vjeçares po qëndrojnë me xhaxhain e tyre, pasi bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë disa vite më parë.

“Janë ndërmarrë masat për fëmijët, kanë shkuar tek xhaxhai, nuk e kanë babain, kanë jetuar vetëm me nënën”, ka thënë Osmanaj.

Osmanaj ka treguar se që nga mbrëmë kur gruaja nga Istogu rezultoi me COVID-19, janë në gjurmim të të gjitha kontakteve që ajo mund të ketë pasur me personat e tjerë.

“Qysh mbrëmë bashkë me policinë jemi në gjurmimin e kontakteve. Fillimisht në kontakt të drejtpërdrejtë kanë qenë katër punëtorë shëndetësorë të QKMF’së, një mjek, një teknik dhe dy vozitës. Ata janë vetizoluar, pritet 7 deri në 10 ditë t’u bëhen testimet për COVID-19”, ka treguar Osmanaj.

Ai ka bërë të ditur se Istogu nuk është në karantinë, dhe sot është mbledhur Këshilli Emergjent bashkë me kryetarin e komunës, për t’u koordinuar lidhur me masat që do t’i ndërmarrin në vijim pas rastit të parë me koronavirus në këtë komunë.

“Do të marrim masa pak më rigoroze për fshatin Lluga, policia do të patrullojë në tri lagje të fshatit, por nga nesër do të ndërmarrim edhe masa të tjera”, ka thënë Osmanaj.

Ndërkohë vdekjen e 39-vjeçares nga Istogu e ka konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë.

Sipas MSH’së sot me datë 13.04.2020 në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive të QKUK-së ka përfunduar me vdekje pacientja S.K. (1981) nga Komuna e Istogut, e transformuar në këtë klinikë me datë 12.04.2020 nga Klinika e Kirurgjisë  Abdominale pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe njëherësh e diagnostikuar me Covid 19.

E numri i personave të prekur me virusin COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 362. 59 janë shëruar ndërsa 8 persona tashmë kanë humbur jetën si pasojë e prekjes nga koronavirusi.