Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të marr pjesë në Samitin e Krerëve të Ballkanit Perëndimor, që mbahet në Tiranë.
Para se të shkoj në Tiranë, Albin Kurti u ndal në Prizren, për të bërë homazhe te Lidhja e Prizrenit.
Sot mbushen 143 vjet që kur më 10 qershor 1878 filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Kurti në postimin e tij tha se ishte e domosdoshme të ndalej në Prizren për të nderuar Lidhjen e veprimtarët e saj.
Postimi i plotë:
Jemi nisur herët në mëngjes për në Tiranë, ku do të takohemi me udhëheqësit e shteteve të rajonit.
Por sot është data e kryengjarjes së kombit tonë, përvjetori i Lidhjes që u mblodh në 10 qershor 1878 në Prizren.Ishte e domosdoshme të ndaleshim në Prizren për ta nderuar Lidhjen e veprimtarët e saj, gegë e toskë e të të gjitha bindjeve politike e feve, që vendosën të bëhen bashkë për mbrojtjen e njerëzve e trojeve të Atdheut.
Pas homazheve, vijuam rrugën për në Shqipëri, duke e patur përherë të qartë se cila është busulla jonë historike, ajo që na e tregon udhën e mbarë.