Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, vlerëson se rikonfirmimi i dënimit ndaj Ratko Mlladiq është e vërteta e krimeve kunër njerëzimt të kryera nga Serbia në Ballkan.
““Kasapit të Ballkanit” Ratko Mladiq, sot iu rikonfirmua dënimi me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit, vendim që kishte ndërmarrë Tribunali i Hagës në nëntor të vitit 2017. I akuzuar dhe dënuar për krime lufte në ish-Jugosllavi, Ratko Mladiq është përgjegjës për vrasjen e mijëra njerëzve, përfshirë orkestrimin dhe ekzekutimin e Masakrës më të madhe në Evropë pas Luftës së Dytë botërore, atë të Srebrenicës”, është shprehur Hoxhaj.
“”Qëlloni vetëm në mish njeriu! Vetëm njerëzit duhet t’i qëlloni!” – nën këtë urdhër të kriminelit Mladiq, kriminelët tjerë serbë ekzekutuan rreth 8.000 boshnjakë, kryesisht djem, burra dhe pleq dhe i hodhën në varre masive. Për gjatë tri viteve të gjata të luftës në Bosnje, të mbushura me krime kundër njerëzimit, Mladiq dhe kriminelët e udhëhequr nga ai, kishin vrarë, plaçkitur dhunuar e zhvendosur mijëra qytetarë joserb, kryesisht boshnjakë të besimit Islam”.
Sipas Hoxhajt ky rikonfirmim i dënimit për kriminelin Mladiq, tregon qartë edhe një herë se kush në të vërtetë ka kryer krime kundër njerëzimit në Ballkan.
“Shpërfaq më mirë se gjithçka tjetër se cili regjim ka qenë gjenocidal në Ballkan, kush janë kriminelët e vërtetë dhe ku duhet të kërkohet e vërteta për luftërat që Serbia ka nxitur në rajon nga viti 1990 deri më 1999. Janë kriminelët serbët që, në Kroaci, Bosnje e Kosovë, janë përgjegjës për vrasjen e civilëve të pafajshëm, ekzekutimin e masakrave të padëgjuara më parë, deportimin e miliona njerëzve nga shtëpitë e tyre, dhunimin e mijëra grave e shkaktim të gjenocidit”.
“Bashkësia ndërkombëtare, gjykatat ndërkombëtare, sadopak kanë rast edhe një herë të mësojnë diçka rreth të vërtetës së luftërave në Ballkan edhe nga ky rast gjyqësor – e çlirimtarët që kanë mbrojtur tokat e veta të lihen të kthehen të lirë në Atdheun e tyre, aty ku e kanë vendin e populli i pret krahëhapur”.