Një person ka vdekur dhe janë shënuar pesë raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit.
Sipas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë janë kryer 4.014 testime.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 155 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 104.343.
Në total numri i rasteve aktive është 923.
Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 107.512, i viktimave në 2.246 dhe i të shëruarve në 104.343.
Më herët, IKSHPK njoftoi se ka konfirmuar një rast me variantin afrikan të koronavirusit. Ky variant njihet si Beta nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në njoftimin e IKSHPK-së thuhet se “pacienti është i hospitalizuar dhe duke u trajtuar në Klinikën Infektive” në Prishtinë.
“Duke qenë se tashmë rasti është kontaktuar, do të hulumtohen kontaktet për identifikimin eventual të rasteve të reja”, thuhet në njoftim.
Varianti Beta, i identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut, është përhapur tashmë në së paku 20 vende të botës.
Nuk ka prova se ai shkakton sëmundje më të rëndë nga koronavirusi se variantet e tjera, por ka shqetësime se ai mund të përhapet më shpejt.
Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të muajit mars.
Deri më 8 qershor janë dhënë 83.725 doza të vaksinës.