Mazreku mirëpret kalimin e projektligjit për automjete, qytetarëve u mundësohet të kursejnë 15 milionë euro

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, ka mirëpritur vendimin e sotëm të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturor për të kaluar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Ky projektligj parasheh heqjen e homolgimit dhe ofron mundësinë e bartjes së pagesës me rastin e ndërrimit të pronësisë.

Me këtë rast, drejtori i BKS-së, Sami Mazreku ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ky votim është mesë i mirëpritur dhe ka apeluar që sa më shpejtë të dërgohet për votim projektligji në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se me miratimin e këtij projektligji qytetarëve të Kosovës do t’u kursehen  rreth 15 milionë euro. “Mirëpres vendimin e sotëm të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturor, me rastin e kalimit në parim të  Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete dhe njëkohësisht apeloj që sa më parë të dërgohet për votim në Kuvendin e Kosovës,  pasi me ketë ligj qytetarëve të Kosovës u kursehen 15 milionë euro. Kini parasysh janë 95 mijë automjete brenda vitit që e ndërrojnë pronësinë dhe nëse i kalkulojmë del se 106 euro për Qendrën e Regjistrimit, 30 euro për Kontroll Teknike dhe 10 euro shkojnë për taksa komunale. Pra kemi një shumë të konsiderueshme të kostove të panevojshme”, është shprehur Mazreku.