Hoxhaj: Ramiz Lladrovci është kandidati i PDK-së në Drenas – çështje e mbyllur

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se kandidat i këtij subjekti në Drenas do të jetë Ramiz Lladrovci dhe jo Driton Ajazi, i cili u propozua nga Dega e PDK-së në këtë komunë.

Ai ka deklaruar se kjo është çeshtje e mbyllur dhe se ky subjet do t’i rikandidojë të gjithë kryetarët e komunave në të cilat qeverisë ajo.

“Partia Demokratike e Kosovës, respektivisht kryesia qëndrore, ka qenë mëse e qartë në janar të këtij viti kur ka vendosur publikisht që të rikandidojë të gjithë kryetarët e komunave në të cilat qeverisë ajo. Javën e kaluar, kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj u ka sqaruar edhe në takime private kryetarit të Degës së Drenasit, Sejdi Hoxhës dhe deputetit Ferat Shala, se kandidatura e Ramiz Lladrovcit për Komunën e Drenasit është çështje e mbyllur”.

“PDK vlerëson punën e secilës Degë në të gjitha komunat e vendit, iniciativat dhe përkushtimin rreth mobilizimit të strukturave të saj për të përgatitur ofertat më të mira për qytetarët e Kosovës, por, sa i përket komunave ku PDK udhëheqë, Kryesia Qëndrore tashmë ka thënë fjalën e saj përfundimtare”, ka thënë Hoxhaj.

PDK e ka rikandiduar Agim Aliun në Ferizaj, Naim Ismajlin në Shtime dhe njëjtë pritet të bëjë edhe me Ramiz Lladrovcin në Drenas dhe Besim Ilazin në Kaçanik.