Ardhja e vonshme e katër yjeve të Premier Leagues po shihet si motiv shtesë në kohën e duhur për Përfaqësuesen e Gjermanisë. Përzgjedhësi Joachim Loew do të ketë kohë për t’i përmirësuar të gjitha gabimet gjatë përgatitjeve për “Euro 2020”, që nis më 11 qershor.
Tre futbollistët e Chelseat që fituan trofeun e Ligës së Kampionëve vikendin e shkuar, Timo Werner, Kai Havertz e Antonio Ruediger, si dhe mesfushori i Manchester Cityt, Ilkay Gundogan, i janë bashkuar ekipit të enjten. Ata kishin pushim paksa më të gjatë se lojtarët tjerë për shkak të finales së Championsit, që u luajt të shtunën në Porto. Ardhja e tyre e rrit edhe më shumë ekipin e Loewit, i cili goditi dy herë shtyllën nga 16 gjuajtjet që i pati në portë kundër Danimarkës, në miqësoren e së mërkurës mbrëma që përfundoi me barazim zhgënjyes 1:1.
Loewit po i mbaron koha për ta bërë Gjermaninë gati të përballet me kampionen e botës, Francën, më 15 qershor në ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian, përpara se të përballet me kampionen në fuqi të Evropës, Portugalinë, katër ditë më vonë në kuadër të Grupit F.
“Ky problem ka qenë me ne për një kohë të gjatë”, tha Loew, i cili iu referua mungesave që i pati ndaj Danimarkës. “Ne po krijojmë shumë raste, por nuk e shpërblejmë veten. Duhet të punojmë për këtë dhe ardhja e katër futbollistëve të tjerë do të na ndihmojë dhe motivojë shumë, ashtu që të përmirësohemi në çdo aspekt para turneut”.
Loew ka lavdëruar Havertzin, i cili tregoi “cilësinë e tij të jashtëzakonshme” me golin e vetëm që e shënoi për Chelsean në finalen e Ligës së Kampionëve. Mesfushori me tipare sulmuese i ofron një mundësi shtesë Gjermanisë përpara, ndërsa golashënuesi më i mirë i Cityt, Gundogan, është një kërcënim i fuqishëm sulmues përkundër që luan si mesfushor qendror.
Werner bashkohet në grumbullim me shpresën që të zhbllokohet para Evropianit. Ai është kritikuar vazhdimisht edicionin e fundit për shpërdorimin e rasteve, derisa shënimi i golave edhe për Gjermaninë mbetet një çështje që duhet të zgjidhet brenda pak ditësh.
“Besoj se në Evropian do të jemi më efikas dhe nuk do t’i shpërdorojmë rastet”, pranoi Loew.
Përveç golit të epërsisë që e realizoi mesfushori i Borussia Moenchengladbachut, Florian Neuhaus, Serge Gnabry dhe Joshua Kimmich vetëm e goditën traversën.
Loew pret që ta ketë skuadrën e tij të plotë së bashku prej të premtes dhe pranon se ka shumë punë për të bërë para ndeshjes së fundit kontrolluese – atë kundër Letonisë.
“Duhet ta shfrytëzojmë kohën maksimalisht dhe të përmirësohemi para Evropianit, pasi për këtë jemi duke u përgatitur dhe synimet i kemi të mëdha”, shtoi Loew.
Gjermania duhet ta forcojë mbrojtjen me tre lojtarë, në mënyrë që ta përmbajë sulmin e mbushur me yje të Francës, të udhëhequr nga Kylian Mbappe, i cili shënoi në gol në fitoren 3:0 në miqësoren kundër Uellsit.
“Ne duhet t’i mbajmë disa seanca intensive para ndeshjes me Letoninë”, tha Loew. “Ne gjithashtu mund të punojmë edhe rreth komunikimit të lojtarëve në fushë, që është një aset i rëndësishëm, sepse kundër Danimarkës vetëm zëri i Thomas Muellerit dëgjohej. Duhet që ekipi të funksionojë më mirë”.