Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të ditur se deri më tash 953 tatimpagues kanë aplikuar për të përfituar nga falja e ndëshkimeve në bazë të vendimit të Qeverisë me qëllim të lehtësimit të ushtrimit të aktivitetit ekonomik të të gjithë tatimpaguesve si pasojë e pandemisë COVID-19.
“Vendimi për faljen e ndëshkimeve ka të bëjë për të gjithë tatimpaguesit, të cilët kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë dhe interesit, ndërsa ndëshkimi i falur është në vlerë 4.05 milionë euro. Ndërsa, tatimi bazë dhe interesi i paguar është në vlerë 14.5 milionë euro”.
Të drejtë përfitimi nga kjo masë kanë të gjithë personat fizikë dhe juridikë, të cilët kanë obligime tatimore të papaguara ndaj ATK-së, për të gjitha periudhat dhe llojet e tatimeve/kontributeve, me kusht që të njëjtit të kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit deri më 30 qershor 2021.
ATK i bënë thirrje gjithë tatimpaguesve të cilën kanë obligime të pa kryera, ta shfrytëzojnë këtë mundësi, pasi që pas datës 30 qershor ATK është e obliguar të veprojë sipas të gjitha dispozitave që janë të parapara në legjislacionin tatimor.