PDK: Qeveria Kurti dështoi që të ofrojë arsim cilësor, nxënësit patën vështirësi në mësimin online

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar Qeverinë Kurti për dështimin për të ofruar arsim cilësor.

Ajo në seancën e sotme ku po diskutohet lidhur me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19, ka thënë që masat e vendosura në marsin e vitit të kaluar, kanë ndikuar në procesin e mësimit.

Deliu shtoi se një numër i madh i nxënësve, nuk kanë marrë pjesë fare në mësimin online.

“Është krijuar ndarje mes nxënësve për shkak edhe të kushteve. Gjysmëvjetori i dytë i vitit të kaluar ishte i humbur. Qeveria edhe pse kishte kohë për të organizuar mësimin, e filloi me dy javë vonesë. Komunat dhe shkollat janë braktisur nga kjo qeveri”, ka thënë ajo.

Tutje ajo tha se edhe viti shkollor ka filluar me dy javë vonesë, e për këtë arsye fëmijët kanë humbur disa javë mësimi.

“Qeverisja që pasoi në verën e vitit të kaluar edhe pse kishte në dispozicion muajt e verës që të organizojë mënyrën e mësimit në kohë të pandemisë, edhe fillimin e vitit shkollor e filloi me dy javë vonesë”.

Deliu tha se qeveria ka dështuar të sigurojë vaksina për mësimdhënësit, madje tha se për interesa të veta kryeministri Kurti ka refuzuar vaksinat nga Shqipëria.

“Kjo qeveri më shumë se 60 ditë të saj në qeverisje nuk e ka bërë asnjë përpjekje për të siguruar ndonjë vaksinë për të mbrojtur shëndetin e tyre, madje ju e dini që ka refuzuar edhe kur këto vaksina janë ofruar donacion nga Republika e Shqipërisë, janë refuzuar nga kryeministri Kurti. Sot mësimdhënësit duhet ta dinë se këtë refuzim e ka bërë vetëm e vetëm për hesape të fushatës dëshpëruese në zgjedhjet në Shqipëri. Pra, një kryeministër i Republikës së Kosovës që ambicien e tij politike për pushtet dhe jashtë vendit të tij e vë mbi qytetarët e mbi mësimdhënësit e vendit”, tha ajo.