PDK propozon 31 tetorin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka thënë para mediave se kanë propozuar si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, datën 31 tetor 2021.

“Ne mendojmë që institucionet që merren me organizim e zgjedhjeve duhet të kenë mjaft kohë që procesi të jetë i përgatitur mirë. Ne kemi kërkuar që si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve të jetë 31 tetori 2021, dhe mendojnë që është brenda afatit kushtetues dhe e dimë që deri atëherë komunat dhe institucionet që merren me organizimin e zgjedhjeve do të mund të ken kohë për përgatitje”, u shpreh Hoxhaj.

Hoxhaj më tej theksoi se PDK si asnjë subjekt tjetër politik është e përgatitur mirë për zgjedhjet lokale.

“Javëve të fundit kemi qenë në teren, i kemi tri emërimet e para për kandidat në tri komuna. Shaqir Totaj Prizren, Naim Tërnava në Fushë Kosovë dhe Naim Ismjali në Shtime. Së treti PDK kërkon nga presidentja se para se të merret data kur do të mbahen zgjedhjet të kompletohet KQZ, dhe ne kërkojmë që PDK i takon anëtari i dytë në KQZ”, u shpreh Hoxhaj.

I pyetur rreth asaj se a do të jetë Uran Ismaili kandidat për Prishtinën, Hoxhaj u shpreh se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim.

“Deri më tash kemi pasur një debat të brendshëm serioz, nuk ka një vendim përfundimtar për zotin Ismajli. Me procedurat e partisë fillimisht propozohet nga dega pastaj e miraton kryesia qendrore”, ka thënë Hoxhaj.

U.d i kryetarit të PDK-së, theksoi se i takon PDK ta udhëheq Prishtinën.

“LDK gjatë e ka pas dhe e ka lënë kryeqytetin të shkretë, e njëjtë edhe LVV-ja. Nuk di për çka matet LVV në qeverisjen lokale në Prishtinë. Pushteti komunal në Prizren, Mytaher Haskuka e ka mbytur dhe po vazhdon me mbyt Prizrenin dhe nuk meriton të merr mbështetje, por edhe Isa Mustafa në të kaluarën nuk ka kurrfarë trashëgimie për Prishtinën. I takon qytetarëve që kësaj here të vendosin për kandidatin e PDK kushdo qoftë ai”, tha Hoxhaj.