Vuçiq: Nëse Kurti mendon se nuk do të flitet për Asociacionin atëherë nuk ka pse të vijë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po bën shantazh.

Vuçiq në një konferencë për media ka thënë se Kurti nuk ka pse të vijë në Bruksel nëse mendon se nuk do të bisedohet për Asociacionin e Komunave Serbe.

Kryeministri i Kosovës të martën tha se nuk do të formohet Asociacion njëetnik. Vuçiq është pyetur edhe për deklarimet e zëvendës ndihmës sekretarit të shtetit amerikan, Matthew Palmer, që ka thënë se SHBA-ja kërkon njohje të ndërsjellë Kosovë – Serbi. Në pjesën e dytë të qershorit është paraparë raundi i ardhshëm i bisedimeve në Bruksel. 

Vuçiq ka thënë se do të reagojë Serbia ashpër në lidhje me mosrespektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara nën mbikçyrjen e BE-së.

“Këto nuk janë ditë të lehta dhe të thjeshta për popullin serb. Duket se lejohet të thuhet gjithçka kundër Serbisë. Të gjithë heshtin. Fakti që Albin Kurti po na bën shantazh, unë do ta trajtoj atë si çdo përfaqësues të institucioneve të përkohshme. Nëse nuk i pëlqen kjo, ai mund të përpiqet të bëjë diçka. Unë nuk do të këshilloja këtë. Kur isha në Shtëpinë e Bardhë, unë nuk nënshkrova (njohjen), njerëzit nuk duhet të shqetësohen për këto gjëra. E jona është të bisedojmë. Nëse Kurti mendon se nuk do të flitet për Asociacionin, pasi është Kosova, atëherë nuk ka pse të vijë”, ka thënë Vuçiq, transmeton B92.

Vuçiq ka treguar se sot do të ketë bisedime me Matthew Palmerin dhe po ashtu me të dërguarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Me këtë rast, mund të them se reagimi ynë do të jetë shumë i fortë dhe i mprehtë në lidhje me çështjen e mosrespektimit të marrëveshjeve të nënshkruara nën kujdesin ndërkombëtar dhe të BE-së”, ka deklaruar Vuçiq.