Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në dialogun që do ta zhvilloj me presidentin e Serbisë në Bruksel, Aleksandar Vuçiq do të jetë përballja dhe takimi i tij i parë me të.
Kurti pas takimit që zhvilloi me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani në një prononcim për media tha se dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë vazhdim i dialogut të mëhershëm, por vazhdim i dialogut të ardhshëm.
“Në takimin që do të zhvillohet në Bruksel nuk është takim i vazhdimit të dialogut por përballja e parë, apo takimi i parë me Vuçiqin me të cilin s’jam takuar asnjëherë, për dallim me tryezën që është mbajtur me mbi 30 veta në shkurt të vitit 2020 në konferencës e Sigurisë që mbahet tradicionalisht në Mynih të Gjermanisë. Është takimi i parë dhe aty do ta shohim se çfarë do të jetë kapitulli i dialogut të ardhshëm, është takim i dialogut të ardhshëm por nuk është vazhdim për dialogun e mëhershëm”, ka thënë ai.
I pyetur për partitë opozitare në vend se a ka arritur ndonjë konsensus në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ai tha: “Kam takuar dy, prej tre partive opozitare dhe përveç kësaj do ta kemi një diskutim në Kuvendin e Kosovës në lidhje me gjendjen e deritanishme të procesit të dialogut të kaluar, për të shikuar se ku ndodhemi”. /Telegrafi/