Roma është e gatshme t’ia ofrojë Arsenalit Cengiz Underin apo Amadou Diawaran në një marrëveshje për Granit Xhakën, pasi oferta e parë prej 15 milionë eurove iu refuzua nga klubi londinez.
Blerja e mesfushorit nga Kosova, i cili e përfaqëson Zvicrën në arenën ndërkombëtare, është kërkesë e veçantë e Jose Mourinhos, i cili shpreson se marrëveshja me Arsenalit mund të arrihet para fillimit të EURO 2020, raporton Gazeta Express.
Xhaka është i lidhur me Arsenalin deri në verën e vitit 2023, por duket i hapur për t’u larguar, pasi e pranoi se interesimi i Mourinhos i ka bërë shumë përshtypje.
Arsenali ia refuzoi Romës ofertën e parë në vlerë prej 15 milionë eurove, pasi kërkesa e tij është të paktën 20 milionë euro.
Por Roma është e gatshme të gjejë mënyra të tjera për ta arritur 28-vjeçarin.
Sipas mediave italiane, klubi nga kryeqyteti italian është i gatshëm të ofrojë para plus një futbollistë për shërbimet e kosovarit.
Lojtarët që janë propozuar si pjesë e marrëveshjes janë sulmuesi turk Cengiz Under dhe mesfushori Amadou Diawara.
Under luajti në Premierligë sezonin e kaluar, pasi ishte i huazuar në Leicester City, ish-kampioni i Anglisë që ka vendosur ta kthejë turkun në Romë.