Kurti: Nga sot Ministria e Shëndetësisë do të marrë vendimet lidhur me situatën me koronavirus

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se nga sot e tutje, vendimet lidhur me situatën me COVID-19 do të merren nga Ministria e Shëndetësisë bashkë me komunat dhe ministritë e linjës.

Ai ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese iu ka lënë kohë për të rishikuar procedurën e vendimeve të marra.

“Ne jemi të përkushtuar të veprojmë para se të bëhet vonë, këto masa preventive na kanë kushtuar shumë. E keni parasysh që vendimi i Gjykatës Kushtetuese na ka lënë kohë për të rishikuar procedurën e vendimeve të marra. Gjykata nuk e ka kontestuar legjitimitetin e masave që kemi marrë por se ka konstatuar se të njëjtat duhet të merren nga MSH. Prej sonte marrja e vendimeve do të bëhet nga MSH në konsultim me komunat dhe ministritë e linjës. Vendimet do të merren varësisht nga nevojat që përcaktohen edhe nga ISHKPK.

Kurti thotë se “kur sistemi publik shëndetësor nuk është në nivel të kënaqshëm atëherë duhet marrë masat parandaluese”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se sot më shumë se kurrë duhet bashkëpunim në betejën me COVID-19, për ta mbrojtur shëndetin publik.

Ai thotë se një pakujdesi e vogël mund të kushtojë me jetë.

“Sëmundja COVID-19 do të hyjë në fazën kulminante të shpërndarjes së saj. Falë masave të ndërmarra dhe bashkëpunimit tuaj kemi arritur që të kemi një situatë më të kontrolluar po kjo nuk do të mjaftojë. Ditëve të fundit kemi pasur rritje të numrit të infektuarve. Çdo lëshim i vogël mund të na kushtojë shumë. Prej sonte në mesnatë hynë në fuqi masat që ndalojnë qarkullimin. Masat do të jenë ato që kanë qenë deri më tani. Para pak minutash janë dërguar edhe disa rekomandime për masa të reja që do të bëhen të ditura brenda dy tri dite”, tha Vitia.