Odat ekonomike kërkojnë lejimin e lëvizjes për ndërmarrjet furnizuese pas vendosjes së Prishtinës në karantinë

Pas vendosjes së qytetit të Prishtinës në karantinë, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), kërkojnë nga Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, që të nxjerrin me urgjencë një udhëzim për të eliminuar paqartësitë që ekzistojnë në mesin e ndërmarrjeve.

Një udhëzim i tillë do për sa i përket lëvizjeve të punonjësve dhe mallrave nga Prishtina në komunat e tjera dhe anasjelltas për të gjitha ndërmarrjet të cilat ushtrojnë aktivitet të furnizimit dhe transportit të mallrave. Informatat nga terreni flasin për paralajmërime nga ana e organeve të zbatimit të rendit për kufizime absolute të hyrjeve dhe daljeve në dhe nga qyteti i Prishtinës, prandaj nxjerrja e një udhëzimi përkatës do të garantonte trajtim uniform për të gjitha ndërmarrjet.

“Një kufizim i tillë do të ishte goditje e madhe për aktivitetin ekonomik të një pjese dërmuese të ndërmarrjeve private, prandaj është e nevojshme që të përcaktohen modalitetet e lejimit të lëvizjes së punonjësve dhe mallrave, me qëllim të shmangies së vështirësive në furnizim me produkte esenciale për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në deklaratën e odave.