Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se Përparim Rama, është kandidati për kryetar të Prishtinës, shkruan Gazeta Stop.
Abdixhiku, madje përmes Facebookut ka treguar edhe biografinë e Ramës.
“Qytetit po i japim një Kryetar që i jep shkëlqimin që e meriton; e LDK-së rikthimin e madh”, shkroi ndër tjera Abdixhiku.
Njoftimi i plotë i Abdixhiku:
Ju njoftoj me kandidatin e LDK-së për Prishtinën.
Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqiptar – i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë. Përvoja e jashtëzakonshme e tij me punë në Londër tash e sa vjet e bën Përparimin një aset nacional të vendit; një përfaqësues të denjë të komuniteti profesional e shoqërisë në përgjithësi – brenda e në diasporë padallim.
I njohur për angazhimin e tij kryesor në planifikim hapësinor të Lojërave Olimpike në Londër në vitin 2012; për angazhimin e tij në ndërtimin e vizionit të Doha’s, kryeqytetit të Katarit; për projekte madhore në New York, Dublin, Bazel, Pragë e deri në Damask të Sirisë – Rama i Prishtinës mbanë një bagazh të mbresëlënës të shenjave që i mbijetojnë kohës.