Haradinaj: Kurti dhe Vuçiq kanë strategji të njëjtë për dialogun

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk është duke u marrë me dialogun Kosovë-Serbi, prandaj në takimin e 25 majit me kryeministrin Albin Kurti ka kërkuar përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.

“Në takim e kam shprehur shqetësimin edhe kërkesën që dialogu pa Amerikën mund të na dalë i keq. Më mirë me e pasë Amerikën në dialog prej fillimit dhe jo me pritë që në fund të hyjë Amerika dhe të ndërhyjë në dialog, pra më mirë të rrugëtojmë bashkë që ta kemi një qëndrueshmëri dhe një siguri, sepse e dimë që jemi në proces të duhur. Amerika është garanca”.

“BE-ja realisht nuk po merret me dialogun, nuk është fare e kyçur në dialog. Në të kaluarën me dialogun Kosovë-Serbi është marrë [Federica] Mogherini, që është përgjegjësia e sotme e Josep Borrellit, tani çfarë ka ndodhur? Është caktuar një i ngarkuar që është [Miroslav] Lajçak si ndërmjetës i të gjithëve, por nuk është as [Josep] Borelli vetë. Është një situatë e re, jo fort kredibile dhe të mbetet çështja e dialogut të Kosovës në nivelin e Lajçakut nuk është premtuese”.

Haradinaj, në Rubikon të Klan Kosovës, ka deklaruar se strategjia e kryeministrit Albin Kurti për dialogun është e njëjtë me të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pasi të dy, sipas tij, po mundohen ta zvarrisin këtë proces.

“Albin Kurti ka frikë se do ta befasojë ndonjë gjë rrugës, që do t’i ofrohet ndonjë zgjidhje e keqe ose që do ta detyrojnë në ndonjë marrëveshje jo të mirë për Kosovën dhe e ka zgjedhur një strategji të hezitimit, të vonesave dhe të mosmarrjes pjesë. Në këtë rast më mirë i kish shku Kurtit ajo që e kam bërë unë. Edhe unë kam pasë frikë nga marrëveshjet e këqija dhe nga befasitë, por unë kam bërë vetëvendosje. Kam vendosur vetë që i bjen që punët e Kosovës i kam kryer vetë – si ushtrinë, Trepçën, pavarësinë energjetike e disa tema të tjera”.

“Kurti e ka zgjedhur një strategji ‘ngreh e mos këput’, që i bjen me shku deri në Bruksel, mos me i mbet faji Kosovës që po e bllokon dialogun, por nuk po do që të hyjë në temë. Kjo strategji i pëlqen shumë [Aleksandar] Vuçiqit, sepse është tamam në shërbim të tij se ai i ka zgjedhjet në pranverë të vitit që vjen edhe ai tutet që po e detyron Amerika për një marrëveshje që e dëmton atë në zgjedhje dhe në këtë mënyrë ka një ‘paqe’ mes Kurtit dhe Vuçiqit që mos me hy në temë”.

“Në këtë rast iu përputhet interesi të dyve për arsye të ndryshme. Albini po frikësohet që të hyjë në temë nga ndonjë marrëveshje jo e duhur, Vuçiq po ashtu, dhe e kanë zgjedhë që të mos e hidhërojnë Evropën duke shkuar në disa takime. Të njëjtin interes e kanë në dinamikën e dialogut të dytë”.

Haradinaj shtoi se nuk beson që Kurti po i shërben Vuçiqit, por se qasja e Qeverisë së Kosovës për dialogun është në interesin e institucioneve të Serbisë.