Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu në seancën e Kuvendit, sërish ka parashtruar pyetje ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia lidhur me procesin e vaksinimit antiCOVID-19.
Haxhiu ka thënë se Qeveria e Kosovës ende nuk ka nënshkruar kontratë për blerjen e vaksinave antiCOVID-19.
“Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka kontratë me asnjë prodhues të vaksinave. I nderuar ministër a mund të na tregoni se përse deri tani nuk keni nënshkruar kontratë për blerjen e vaksinave”, ka pyetur Haxhiu.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në përgjigjen e tij ndaj deputetit Haxiu, theksoi se janë në diskutime të vazhdueshme me prodhuesit dhe janë në fazën finale të kontratës që do t’u mundësoj procesin e vaksinimit në masë, shkruan Telegrafi.
“Procesi i negocimit te ne ka filluar në fund të vitit të kaluar dhe për çdo vaksinë që ka një afat skadence të shkurtë dhe e cila bëhet në bazë të kërkesave nga shtet përkatëse, kompanitë prodhojnë aq sa negociojnë shtetet dhe fatkeqësisht është një konstatim se shteti jonë është vonuar të filloj negociatat si duhet”, ka thënë Vitia.
Vitia ka shtuar se në asnjë moment nuk do të ketë vonesa në ardhjen e vaksinave. “Ne do ta arrijmë synimin tonë të vaksinimit të 60% të qytetarëve deri në fund të vitit”, tha Vitia.
Ai shtoi se për vaksinimi në masë janë duke hartuar planin e ri.
“Plani është para përfundimit dhe nga 15 qershori do të hyjë në fuqi, ku nga 15 qershori do të filloj vaksinimi në masë ku do të shtojmë edhe numrin e ekipeve të vaksinimit”, u shpreh Vitia.
Vitia theksoi se deri më tani kanë marrë 62 mijë e 400 doza nga aleanca COVAX, dhe rreth 15 mijë doza nga mekanizmat e BE-së.