Shoqata e Gastronomëve të Kosovës të premten do të mbajë takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, me të cilin do të diskutojnë për masat e reja antiCOVID, që pritet të vendosen së shpejti.
Zyrtari ligjor i kësaj shoqate, Arian Vranica, tha për Gazetën Sinjali, se do të kërkojnë nga kjo ministri lirim të masave dhe shtyrje ose largim të orës policore.
“Sipas MSh-së, orari i punës së lokaleve të gastronomisë do të zgjatet deri në orën 23:30, ndërsa ora policor deri në 00:00. Mirëpo, ne e kemi kontestuar këtë, sepse sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar qysh më datën 18 prill në mes të shoqatave dhe Ministrisë së Ndërmarrësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, jemi zotuar që bashkërisht do të jenë masat e reja do të jenë në përputhje me situatën epidemiologjike, gjë e cila nuk ka ndodhë. Më datë 14 maj nuk ka pasur lehtësim të masave, ashtu siç ishte paralajmëruar dhe më datën 28 të merret edhe një vendim për masa edhe të lehta.”
“Ne kemi kërkuar që orari i punës të shtyhet deri në orën 00:00, ndërsa ora policore të hiqet ose të shtyhet deri në orën 00:30 dhe për planin strategjik të veprimit të sallave verës për periudhën e muajit qershor, të ketë përgatitje të udhëzimeve për punën e klubeve të natës, sallave të dasmave dhe pishinave”, tha ai për Sinjalin.
Ai thotë se i kanë dhënë rekomandimet dhe propozimet e tyre se si do të funksionojnë gjatë sezonit të verës dhe se janë në pritje të takimit me ministrin.
Ndërkaq, sa i përket deklaratës së Asociacionit të Komunave se puna e gastronomisë do të zgjatet deri në orën 00:00, ndërsa organizimi i dasmave do të lejohet nga 15 qershori, Vranica tha se këto nuk janë konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë.
“Realisht, këto deklarata që kanë rrjedhë sot nga Asociacioni i Komunave dhe Organizatat e tjera nuk janë të konfirmuara nga Ministria e Shëndetësisë, sipas disa burimeve të brendshme brenda kësaj ministrie“, tha ai.
Zyrtari ligjor i Shoqatës së Gastronomëve thotë se nuk është përgjegjësi e gastronomëve që Kosova ka nisur kaq vonë procesin e vaksinimit dhe se deri tani janë vaksinuar një numër i vogël i qytetarëve.
Madje, ai tha se është e pakuptimtë që të njëjtit qytetarë, të pavaksinuar, të dalin jashtë vendit, pa asnjë masë dhe pa asnjë pengesë.
“Ne e kemi thanë, ose çelni verën ose e çelim vetë. Ne jemi në presion të hatashëm, jemi një hap para sezonit të verës dhe një qind hapa prapa me vendeve të rajonit. Nuk është përgjegjësi e biznese që të dënohen kaq ashpër për një periudhë kaq të gjatë kohor. Kjo nuk është përgjegjësi e jona. Me këto masa të ashpra, po e rrezikojmë largimin e punëtorëve”, tha ai.