Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ia ka kujtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti kohën kur LVV-ja kishte protestuar me gaz-lotsjellës për demarkacionin.
Ai u shpreh se ka pasur pritje që të mos ketë përsëritje në program dhe të jetë i qartë.
“Të përsëritet dy herë ne dy vende, se Qeveria do të punon për të përmbushur kriteret e në një vend thuhet se Kosova ka përmbush kriteret për liberalizim të vizave, këtë duhet ta sqaroni se në këtë sallë keni hedhur gaz me atë formulimin e famshëm Çakorri, Çakorri, Çakorri…Ku është Çakorri tash?”, u shpreh Hoxhaj.
Ai tha se kauzat e shenjta të cilat Kurti i ka ngritur në të kaluarën dhe nuk janë përmendur në program është mirë “të pranohet se e keni pasur gabim”.
Ndryshe, gjatë fjalimit të tij, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se programi i Qeverisë Kurti është dobët dhe i kotë, ndërkaq theksoi se nuk ka as plan veprimi.
Hoxhaj gjatë fjalimit të tij u shpreh se nuk ka afate kohore dhe nuk ka buxhet e nuk dihen institucionet përgjegjëse për realizim të programit qeverisës.