Sfida e Facebook-ut për ndalimin pas vendimit irlandez


Gjykata e Lartë ka vendosur që rregullatori i Irlandës mund të rifillojë një hetim ndaj kompanisë së medias sociale, Facebook, i cili mund të shkaktojë një ndalim në transferimin e të dhënave transatlantike.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se vendimi i marrë rrit mundësinë e një ndalimi për të cilin kompania paralajmëron se do të ketë një ndikim “shkatërrues” për biznesin e saj.

Lidhur me rastin, ai buron nga shqetësimet e Bashkimit Evropian se mbikëqyrja e qeverisë amerikane mund të mos respektojë të drejtat e privatësisë së qytetarëve në BE kur të dhënat e tyre personale dërgohen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përdorim komercial.

Rregullatori kryesor i Facebook-ut në BE, Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave në Irlandë, në muajin gusht ka nisur një hetim dhe ka lëshuar edhe një urdhër provizor.

Urdhri nënvizonte se mekanizmi kryesor që përdor Facebook-u për të transferuar të dhënat e përdoruesve të BE-së drejt SHBA-së “nuk mund të përdoret në praktikë”.

Mirëpo, Facebook-u e sfidoi urdhrin dhe vendimin paraprak duke thënë se kërcënonte me pasoja “shkatërruese” dhe “të pakthyeshme” biznesin e tij, i cili mbështetet në përpunimin e të dhënave të përdoruesve për të shërbyer në internet reklama të synuara.

Kjo sfidë e kompanisë u refuzua nga Gjykata e Lartë.

“I refuzoj të gjitha lehtësimet e kërkuara nga FBI (Facebook-u i Irlandës) dhe hedh poshtë pretendimet e ngritura prej tij në procedurë”, ka deklaruar gjyqtari, David Barniville, në gjykimin që shkonte në afro 200 faqe.

Në vendimin e dhënë thuhej se dega e Facebook-ut në Irlandë nuk ka krijuar ndonjë bazë për të kundërshtuar vendimin e komisionerit apo procedurat për hetimin e miratuar prej tij.