Portieri Diant Ramaj që ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje profesionale në futbollin gjerman, i është bashkuar skuadrës së Eintracht Frankfurtit.
Ramaj 19-vjeçar te Eintrachti është transferuar nga Heidenheimi, ekip që bën gara në Bundesligën 2.
Ramaj me Frankfurtin ka firmosur kontratë deri në vitin 2024 pasi nga klubi i Bundesligës po llogaritet si një portier i talentuar.
“Është një portier i talentuar dhe jam i bindur se Dianti mund të bëjë hapin e radhës me ekipin tonë që të zhvillohet edhe më shumë”, ka thënë Jan Zimmermann, trajneri i portierëve te Frankfurti.
Ramaj ka qenë pjesë e të rinjve të Heidenheimit prej vitit 2018 kurse ka luajtur për ekipin U19 edhe pse është stërvitur rregullisht me skuadrën e parë.
Ramaj gjithashtu ka zhvilluar ndeshje edhe me Përfaqësueset e reja të Gjermanisë (U18, U19, U20). Vitin e shkuar, Ramaj ka regjistruar dy paraqitje me ekipin U20 të Gjermanisë.