Numri i të vdekurve nga koronavirusi në botë e ka kaluar shifrën 100,000. Sipas Universitetit John Hopkins, të infektuar llogaritet të jenë rreth 1.6 milionë njerëz. Numri i të shëruarve nga virusi ka arritur në 368,669.
Koronavirusi i ri besohet të ketë origjinën nga një treg në Wuhan të Kinës, ku shiten kafshët e egra.
Rasti i parë u paraqit në Kinë, dhe virusi shpejt u përhap në mbarë botën.
Vdekja e parë ndodhi në qytetin kinez, Vuhan, më 9 janar. U deshën 83 ditë që të regjistroheshin 50,000 vdekjet e para, dhe vetëm tetë të tjera që numri i tyre të rritej në 100,000.
Numri është duke u përshpejtuar në një normë ditore midis 8% dhe 10%.
Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë, transmeton REL.
Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.
Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.