Deputetja Mimoza Kusari ka reaguar pasi që Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj saj për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.
Kusari ka deklaruar se për këtë temë në përgjithësi dhe për këtë hetim në veçanti, për herë të parë është informuar në vitin 2015, kur kishte lënë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe ishte zgjedhur Kryetare e komunës së Gjakovës.
Ajo thotë se në vitin 2016-të ishte ftuar për intervistim nga policia.
“Në ndërkohë, në vitin 2016 kam qenë e ftuar një herë nga policia e Kosovës në cilësinë e dëshmitares dhe për herë të parë për këtë temë u ftova nga prokuroria e Kosovës, në nëntor të vitit 2019, kur Prokurori i rastit gjatë intervistës deklaroi se “tashmë çdo gjë është gati dhe më shumë arsyetime mund të jepni në Gjykatë”.
Nga ajo intervistë, fitova bindjen se kjo aktakuzë do të ngritej domosdo, andaj sot asgjë e papritur nuk ka ndodhur për mua.
Trajtimi i shitjes së katër hidrocentraleve si pjesë e distribucionit të KEK-ut duhet të shpaloset para opinionit publik. Gjithashtu, çdo detaj i privatizimit të KEK-ut duhet të zbardhet, prej vendimit të parë për privatizimin e KEK-ut nga Qeveria Thaçi 1 në vitin 2008 dhe vendimit të dytë nga Qeveria Thaçi 2 në vitin 2011. Në veçanti duhet të zbardhet nëse ka pasur diskutime apo informata tjera të cilat supozohet se janë trajtuar në të njejtën mënyrë, sikur çështja me të cilën po ngarkohemi ne e të cilën fare nuk e kemi diskutuar në proces zyrtar”, ka shkruar ajo.
Kusari Lila ka deklaruar se kjo situatë duhet të përmbyllet me epilog në të cilin duhet të triumfojë drejtësia.
“Në kapacitetin personal, kjo është betejë e imja për të mbrojtur punën, angazhimin dhe besimin që e kam dhe e kam pasur gjithmonë në ndërtimin e Republikës së Kosovës. Në Republikën shtet të zhvilluar dhe të barabartë për të gjithë, ku askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk mund të bëhet ligji.
Edhe pse kemi rrugë të gjatë për të bërë si shoqëri, unë besoj në shtet të së drejtës dhe jam e bindur se drejtësia do të triumfojë.
Për të gjithë ata që më besojnë mua, punës dhe angazhimit tim, për të gjithë ata që ishin krah meje, bashkë me mua dhe në mbështetje timen, kjo është vetëm edhe një sfidë në rrugën tonë përpara, por asesi nuk është destinimi final i përpjekjes dhe angazhimit tonë për këto 11 vite sa jam aktive në politikën e Kosovës.
Unë sot ndihem e liruar se më askush nuk do të ma mbajë mbi kokë hetimin, ashtu siç për vite me radhë u trajtua ky rast varësisht nga rrjedhat politike në vend. Tani faktet dhe të vërtetat do t’i themi në Gjykatë, aty ku edhe duhet të triumfojë vetëm drejtësia”, ka thënë e njëjta.