Afër 7 mijë raste aktive me COVID-19

Të premten janë regjistruar katër viktima nga koronavirusi në Kosovë, në mesin e tyre një fëmijë një vjeçar. Ndërsa u raportuan dhe 170 raste të reja, shkruan Gazeta Stop. 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në njoftimin ditor për bilancin e koronavirusit njoftoi se janë testuar 2 mijë e 545 mostrave, që i bie se 6 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.

Kosova ka konfirmuar gjithsej 106,192 raste me koronavirus, 2,202 viktima dhe 97,057 pacientë të shëruar.

Aktualisht, raste aktive në vend janë 6,933.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të muajit mars me 24,000 dozat e vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Këtë javë, vendi ka pranuar edhe mbi 4 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech si donacion nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot njoftoi se kontingjenti i radhës i vaksinave antiCOVID do të vijë brenda ditësh.

Sipas tij, numri i këtyre vaksinave antiCOVID që do të vijnë këtë herë do të jetë më i madh se i dy kontingjenteve të para bashkë.

Ai tha se numri i vaksinave antiCOVID do të shumëfishohet gjatë fundit të këtij muaji, ose fillimit të qershorit.