Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka folur pas përplasjeve që kanë ndodhur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, sot në Kuvend janë parë veprime të dhunshme teksa shtoi se ato po bëhen ose qëllimisht apo nga mungesa e njohurive.
“Sot pamë veprime të dhunshme dhe dhunë nga ulësja e kryetarit të parlamentit, dhunë verbale dhe dhunë në kuptimin e pamundësimit të marrjes fjalës. Si kryetar i grupit parlamentar kam prit më shumë se 1 orë, në momentin që e kam marrë fjalën ma kanë ndërpre”, tha ai.
Ai tha se dyshojnë që kryesuesja e seancës po keqpërdoret nga Lëvizja Vetëvendosje me qëllim të viktimizimit të saj për përfitim politik.
“Kemi veprime a të qëllimshme a nga mungesa e njohurive nuk e di, por dyshimet shkojnë drejt asaj se kryesuesja e seancës po keqpërdoret nga LVV-ja me qëllim të viktimizimit të saj për përfitim politik”, tha ai.
“Kjo është e papranueshme, tregon që sa herë ulësja përdoret në mënyrë të njëanshme prodhon konflikt në Kuvend. Unë kam tentuar të flas për procedurë por më kanë ndëpre fjalën, kam kërkuar mocion procedural, kur kërkohet nga kryetari i grupit parlamentar, seanca ndërprehet se i jepet fjala. Ne u detyruam që të braktisim sallën. Vendi po shkon drejt tensioneve, si rezultat i mos menaxhimit”, tha Gashi.