Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i është kundërpërgjigjur ashpër Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e cila tha se “Gjykata Speciale nuk është e instaluar nga Serbia, por nga deputetët e PDK-së”.
“Sot na e dëshmove që Republika e Serbisë nuk ka më nevojë që të merret me Republikën e Kosovës, sepse të ka përfaqësuese ty në Kosovë. Ti je turpi i diplomacisë së Kosovës. Sot me dal edhe me thanë që Gjykata Speciale nuk u bë prej Serbisë është turpi më i madh për qytetarët e Kosovës. Sot dil dhe kërkoj falje qytetarëve të Kosovës, sepse ajo gjykatë është bërë me faktet e rrejshme dhe të sajuara nga Qeveria e Serbisë. Dil dhe kërkoju falje qytetarëve dhe atyre që janë atje të akuzuar, sepse kjo gjykatë është bërë prej njerëzve me dëshmi sikur ju”.
“Sot nuk ka nevojë [Ivica] Daçiq me fol, sepse është Donika Schwarz – se atë mbiemrin tjetër [Gërvalla] po më vjen marre me ta përmend – me dal me fol për krimet që janë bërë në Kosovë. Ti në vend se me dal sot me i përmend viktimat, civilët, dhunimin që ka ndodhur në Kosovë ti del e flet me sajimet e Beogradit. Ti sot më shumë ngjason me përfaqësuesen e Republikës së Serbisë në Kosovë, me ambasadorin e Republikës së Serbisë në Kosovë, sesa me Ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës”.
“Me dëgju një fjalë të tillë nga Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës është mjerim për këtë vend – është turp i madh. Dil kërkoju falje viktimave, grave të dhunuara për atë që the. Dil kërko që gjenocidi serb që ka ndodhur në Kosovë të dënohet. Është marre për ty. Ti je përfaqësuese e Serbisë në Kosovë, ti nuk më përfaqëson mua. Ti je turpi më i madh”.
Tahiri ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që ta shkarkojë Donika Gërvallën nga pozita e Ministres së Punëve të Jashtme, njofton Klan Kosova.
“Nëse do të kishim një kryeministër të përgjegjshëm do të duhej sot të shkarkonte. As edhe një minutë nuk mund të jesh Ministre e Punëve të Jashtme. Ky është turpi më i madh që ndodh me këtë vend. I bëjmë thirrje kryeministrit që ti nuk mund të qëndrosh më në këtë sallë, sepse nuk e përfaqëson qytetarin e Kosovës”.