Vitalik Buterin, programues 27-vjeçar ruso-kanadez, krijoi Ethereum-in në vitin 2013, kur ishte vetëm 19 vjeç. Kriptomonedha e saj kryesore, Ether (ETH) filloi transaksionet e para në vitin 2015 dhe tani Buterin zotëron rreth 333 mijë e 500 ETH në portofolin e tij digjital.
Të martën, ETH-ja arriti vlerën rekord me mbi 3 mijë e 400 dollarë për një njësi. Po të shumëzojmë shumën e monedhave digjitale që Buterin ka, me vlerën maksimale që Ether arriti, pasuria e tij kap shifrat e mbi 1.1 miliardë dollarë.
Buterin bashkëthemeloi revistën “Bitcoin Magazine”, një botim që mbulon Bitcoin-in dhe kriptovalutat e tjera, në 2012. Në 2014, ai u zgjodh si pjesë e programit dyvjeçar, Thiel Fellowship, i krijuar nga miliarderi Peter Thiel, i cili “u jep 100 mijë dollarë të rinjve që duan të krijojnë gjëra të reja në vend që të rrinë ulur në bankat e shkollës”.
Çmimet e Ether-it janë rritur me 375% gjatë vitit 2021. Aktualisht është kriptomonedha e dytë më e madhe digjitale, bazuar në vlerën e tregut, pas Bitcoin-it.
Sipas kompanisë së të dhënave, CoinMarketCap, vlera totale e të gjithë Ethereumit në qarkullim, në momentin që është bërë shkrimi, është rreth 403 miliardë dollarë.
Megjithëse investitorët blejnë dhe shesin mijëra kriptovaluta të ndryshme, Ether dhe Bitcoin përbëjnë gati dy të tretat e të gjithë tregut global të kriptove, prej 2.3 trilionë dollarësh.
Mbështetësit e kriptomonedhave kanë kaluar vite, duke këmbëngulur dhe bindur opinionin publik që Ethereum, Bitcoin dhe monedha të tjera digjitale, mund të revolucionarizojnë botën e financave. /CNN/