Presidenti i Kroacisë: Nuk mund të ofroj garanci për Thaçin

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka demantuar shkrimet në mediat e Serbisë se ai i ka ofruar garanci Hagës për t’ia mundësuar ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të mbrohet në liri.

Thaçi po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Kjo është e pamundur, nuk mund të jap garanci të tillë sepse kjo nuk është kompetencë imja”, ka thënë ai duke iu u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në qytetin kroat, Sisak.

Ai ka përkujtuar që gjatë ngritjes së akuzës kundër Thaçit kishte deklaruar se për atë aktakuzë mendon “gjithçka të keqe”. Ai ka vlerësuar që aktakuza kundër Thaçit është mënyrë për ta dështuar rajonin.

“Tani dikush në çarshinë e Beogradit ndoshta do të ma zë për të madhe, por unë nuk jam armik i serbëve, as kam qenë, as nuk do të jem kurrë. Thjesht mendoj se është e dëmshme. Thaçi është dashur të ishte akuzuar ose të ishte lënë i qetë, sepse disa njerëz nga Beogradi kalojnë lehtë (të paprekur)”, tha Milanoviq.

Ai është i bindur se Thaçi ka të ngjarë të arrijë pleqërinë para gjykatës, për shkak të akuzave “të paprovuara” në raportin e Këshillit të Evropës, lidhur me pretendimin për trafikim të organeve.

“Në këtë kuptim, konsideroj që kjo është dëmtuese, por nuk kam ofruar kurrfarë garancish – jo, dhe as që mundem ta bëj këtë. Kjo, thjesht është e pamundur. Edhe po të kisha thënë kështu, unë e kam të pamundur ta bëj këtë”, ka thënë Milanoviq.

Ai ka shtuar që Kroacia nuk do ta bënte atë që e ka bërë Hungaria, si anëtare e BE-së – që t’i japë azil ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevskit, i cili kishte ikur në Hungari, në mënyrë që t’i shmangej dënimit me burg prej dy vjetësh, për shkak të korrupsionit.

Gjykata Speciale në Hagës për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës, në tetor të vitit të kaluar konfirmoi aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën dyshime për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë në 1998 dhe 1999. Të gjithë ata janë në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit të kaluar. /REL/