Albulena Haxhiu u kthye në krye të Ministrisë së Drejtësisë edhe në Qeverinë Kurti 2.
Ashtu si në Qeverinë Kurti 1 ku shërbeu në krye të kësaj ministrie, ajo e ka vendosur Vettingun si prioritet të cilin shpreson se do ta përfundojë brenda mandatit të dytë qeverisës.
Haxhiu në një intervistë për klankosova.tv, nuk e ka mohuar mundësinë që mund të bëhen ndryshime kushtetuese për ta realizuar këtë proces.
“Grupi punues pas përfundimit të koncept dokumentit do të dalë me përfundime. Nëse shkohet me ndryshime kushtetuese, atëherë për shkak të vështirësive në kalimin e amendamentit duhet të ketë edhe plan B”.
Drejtuesja e dikasterit të drejtësisë në ekzekutiv ka thënë se të parët që do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit do të jenë prokurorët dhe gjyqtarët e niveleve më të larta.
“Synimet tona janë që të nisim me nivelet e larta hierarkike dhe të vazhdohet tek nivelet më të ulëta të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Grupi punues do ta përcaktojë nëse duhet të verifikohet edhe stafi mbështetës i prokurorëve dhe gjyqtarëve”.
Haxhiu në këtë intervistë ka bërë gjithashtu të ditur se gjatë ditës së sotme do të themelohet grupi punues për hartimin e projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ministrja e Drejtësisë ka treguar se si do të bëhet konfiskimi i pasurisë që s’mund të justifikohet në procedurë civile dhe detaje të tjera lidhur me këtë proces.
INTERVISTA E PLOTË:
Janë bërë disa javë që kur e morët detyrën e Ministres së Drejtësisë:
• Si e gjetët këtë ministri kur u kthyet në këtë post, duke e pasë parasysh faktin që ju ishit në krye të këtij dikasteri edhe në Qeverinë Kurti 1?
Albulena Haxhiu: Fillimi i këtij mandati padyshim që ka qenë më i lehtë, pasi që skenimin në ministri e kemi bërë gjatë mandatit të kaluar. Pavarësisht shkëputjes së përkohshme, ne kemi përcjellë punën e Ministrisë së Drejtësisë sikurse edhe ministrive tjera. Kemi ditur punët që na presin dhe sfidat që i kemi përpara.
Gjatë mandatit të ish-Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, është bërë një analizë nga një grup punues ku janë analizuar problematikat e sistemit të drejtësisë duke e përfshirë edhe Vettingun:
• A do t’iu hyjë në punë ju si ministre raporti i këtij grupi punues që përbëhej nga shoqëria civile dhe përfaqësues të institucioneve?
Albulena Haxhiu: Siç jeni në dijeni, ne tashmë kemi themeluar grupin punues për hartimin e koncept dokumentit për Vettingun në sistemin e drejtësisë. Secili dokument i përgatitur do të analizohet nga grupi punues.
Ju gjithmonë e keni potencuar nevojën për një proces Vettingu në Kosovë:
• A do ta realizoni këtë premtim brenda mandatit tuaj?
Albulena Haxhiu: Procesi i Vettingut është prioritet i qeverisë tonë. Duke e pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi dhe në anën tjetër nevojën për të kthyer besimin qytetar tek institucionet e drejtësisë, padyshim që do të punojmë për ta përmbyllur brenda mandatit.
Duke e pasë parasysh që procesi i Vettingut, siç dëshmojnë edhe praktikat e vendeve fqinje, është proces i komplikuar:
• A keni ndërmarrë ndonjë hap konkret në drejtim të fillimit të punës për realizimin e procesit të Vettingut?
Albulena Haxhiu: Menjëherë kemi nisur punën në këtë drejtim. Së pari stafi civil kanë punuar një dokument lidhur me atë se si do të dukej Vettingu me ndryshime kushtetuese dhe ligjore dhe po ashtu kemi themeluar grupin punues. Këtë javë do të mbahet takimi i parë i grupit punues.
• Në këndvështrimin tuaj, a është e nevojshme që të bëhen ndryshime kushtetuese për ta realizuar këtë proces?
Albulena Haxhiu: Grupi punues pas përfundimit të koncept dokumentit do të dalë me përfundime. Nëse shkohet me ndryshime kushtetuese, atëherë për shkak të vështirësive në kalimin e amendamentit duhet të ketë edhe plan B.
• A do ta ndiqni shembullin e Shqipërisë lidhur me këtë proces?
Albulena Haxhiu: Duke pasur parasysh nisjen dhe zhvillimin e procesit të Vettingut në Shqipëri, padyshim që kjo do të na shërbejë për të nxjerrë mësime dhe të mos përsërisim gabimet.
• Cilat kategori do të përfshihen në Vetting?
Albulena Haxhiu: Synimet tona janë që të nisim me nivelet e larta hierarkike dhe të vazhdohet tek nivelet më të ulëta të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Grupi punues do ta përcaktojë nëse duhet të verifikohet edhe stafi mbështetës i prokurorëve dhe gjyqtarëve.
• A ka plan se si të zëvendësohen ata të cilët nuk e kalojnë procesin e Vettingut?
Albulena Haxhiu: Duke pasur parasysh atë që ka ndodhur në Shqipëri padyshim që këtu do të jetë fokusi. Assesi institucionet nuk duhet të mbesin jofunksionale.
Keni miratuar koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme:
• Çfarë synoni të arrini me këtë proces?
Albulena Haxhiu: Siç jeni në dijeni, tashmë kemi miratuar koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Të mërkurën themelohet grupi punues për hartimin e projektligjit.
• Si do të bëhet konfiskimi i pasurisë në procedurë civile?
Albulena Haxhiu: Ende jemi në fillesa të diskutimeve. Ajo që dihet me siguri është që barra e provës do të vendoset tek personi i dyshuar dhe po ashtu ideja fillestare është që të themelohet një mekanizëm i veçantë i cili do të ketë për detyrë vlerësimin e pasurisë dhe në rastet e vërtetimit se pasuria nuk është krijuar nga të ardhurat e ligjshme e procedon lëndën në gjykatë.
• A do të miratohet ligj i veçantë për këtë çështje?
Albulena Haxhiu: Po, siç e kam përmendur më lartë grupi punues për hartimin e projektligjit do të themelohet të mërkurën.