Që nga marsi i vitit të kaluar mbi 105 mijë qytetarë të Kosovës janë infektuar me virusin COVID-19.
Si pasojë e këtij virusi kanë humbur jetën 2 mijë e 187 pacientë, të cilët po trajtoheshin nëpër spitalet e vendit.
Tani për tani në gjithë territorin e Kosovës janë gjithsej 7 mijë e 983 raste aktive me koronavirus.
Pavarësisht gjithë kësaj situate të vështirë të krijuar si pasojë e këtij virusi, Kosova radhitet nga vendet e fundit sa i përket arritjes së vaksinimit të qytetarëve.
Kosova deri më tani ka pranuar vetëm 24 mijë doza të vaksinës së llojit ‘AstraZeneca’të cilët arritën më datën 28 mars.
Shpërndarja e këtyre vaksinave kryesisht u arrit të bëhej tek stafi shëndetësore dhe tek një pjesë e qytetarëve në moshë më të shtyrë, mbi 80 vjeç.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë konfirmuar për lajmi.net se gjatë ditës së sotme në Kosovë arrijnë 4 mijë e 680 doza të vaksinës antiCOVID, të llojit Pfizer.
“Ministria e Shëndetësisë pret që gjatë ditës së sotme të arrijnë 4680 doza të Pfizer në Kosovë. Këto janë pjesë e asistencës prej 95 mijë dozave që Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën”, u tha në përgjigjen e MSH-së.
Përpos kësaj nga Ministria e Shëndetësisë u theksua se vaksinimi do të vazhdojë së pari me personelin shëndetësore që për arsye të ndryshme nuk kanë arritur të vaksinohen në fazën e parë.
“Pastaj do të vazhdohet me grupet e sëmundjeve kronike më të theksuara tek personat e moshuar”, u shtua tutje nga Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Arben Vitia.
Ditën e nesërme në Kosovë përfundon edhe afati dy javor i masave të vendosura së fundi antiCOVID.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të zhvilluar dy javë më parë Ministria e Shëndetësisë propozoi ndryshimin e masave të cilët ishin më parë, ku më pas u morë vendim që të ketë orë policore nga ora 22:30 deri në ora 05:00 të mëngjesit, gjithashtu që nga ora 22:00 të mbyllen të gjitha lokalet dhe qendrat tregtare.
Në kuadër të këtyre masave parashihej kujdes i shtuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës, e sidomos në gastronomi përgjatë kohës sa janë të hapura.
E lidhur me këtë nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se tash për tash nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket këtyre masave dhe se ato do të vazhdojnë të mbesin në fuqi.
“Tash për tash, mbesin në fuqi masat aktuale”, u tha shkurt nga MSH.
Duhet përkujtuar që nga institucionet përgjegjëse është kërkuar vazhdimisht respektimi i këtyre masave ndër to kryesoret si vendosja e maskës, mbajtja e higjienës dhe respektimi i distancës.
Në kuadër të kësaj, Policia e Kosovës dhe Inspektorati kanë vazhduar rregullisht kontrollet e tyre në lokale të ndryshme, në shërbimet e transportit e kudo tjetër në mënyrë që të shikohet nga afër respektimi i këtyre masave.
Të njëjtit nuk kanë hezituar që brenda ditës të shqiptojnë deri në 1 mijë gjoba për qytetarët që nuk respektuan këto masa.