Parashikimi i motit për javën e ardhshme

Kosova do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me presion të ndryshueshëm atmosferik.

Kjo situatë e parashikuar meteorologjike do të krijojë kushte për mot me diell dhe herë-herë me vranësira, të cilat kanë mundësi për reshje shiu të intensitetit të dobët.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, shi me intensitet të dobët parashihet të ketë gjatë mbrëmjes së ditës së hënë, të mërkurën dhe të enjten, duke mos e përfshirë gjithë territorin e vendit. Përgjithësisht sasitë totale të reshjeve gjatë gjithë javës do të jenë të ulëta.

IHMK njofton se sa i përket temperaturave ekstreme, ato do të jenë tipike pranverore, duke regjistruar minimalet ndërmjet 7 deri në 10 gradë Celsius, ndërsa vlerat e maksimaleve parashihen të lëvizin ndërmjet 21 deri në 27 gradë Celsius.

Do të fryjë erë nga drejtimi i perëndimit dhe jugperëndimit me shpejtësi 1 dhe 9 metër në sekond.