Koronavirusi ka shkaktuar probleme dhe paqartësi edhe në sistemin e regjistrimit të automjeteve. Shumë qytetarë mendojnë se gjatë kësaj periudhë mund t’i ngasin veturat edhe pa polica të sigurimeve.
Nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i sigurojnë automjetet, sepse në rast aksidenti ballafaqohen me pagesë ndaj palës së tjetër, por dhe me gjykata.
Mbi 150 mijë vetura të paregjistruara në Republikën e Kosovës kanë qenë në qarkullim, para se në vendin tonë të rezultojë pozitiv personi i parë me koronavirus.
Që nga muaji mars dhe prill ky numër është shtuar edhe më shumë, ndonëse Ministria e Brendshme dhe Administratë Publike për dy ditë me radhë nuk i janë përgjigjur RTK-së për shifrën e paregjistruar në këtë kohë pandemie.
Megjithatë, drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka thënë për RTK-në, se pandemia e koronavirusit, e ka dëmtuar në masë të madhe sektorin e sigurimeve.
Ai ka thënë se që nga vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për mbylljen e Qendrave të Regjistrimit në gjithë Kosovën, shitja e sigurimeve ka rënë për 50% e që kjo shifër gjatë muajit prill pritet të bie në 80%.
“Me datën 16 kur ka dal vendimi që të mbyllën të gjitha qendrat e regjistrimit dhe regjistrimi të vazhdoj vetëm në raste emergjente automatikisht menjëherë ka ra nën 50% shitja e sigurimeve dhe momentalisht interesimi i qytetarëve pamarr parasysh që kemi edhe vetura shumë të shtrenjta të cilët nuk e bëjnë sigurimin”, tha ai.
Mazreku u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve që kanë automjetet të paregjistruara që t’i paguajnë policat e sigurimit nëpër kompanitë të cilat punojnë nga ora 09 deri në orën 15:00, ndonëse Qendrat e Regjistrimit në tërë Kosovën janë mbyllur më 17 mars pas një vendimi të ish-ministrit të Brendshëm Agim Veliu.
Ai ka thënë se në raste se drejtuesi shkakton aksident dhe nuk e ka të regjistruar veturën, aksidentuesi me patjetër do të paguajë dëmin me përfundimin e pandemisë. Prandaj edhe vendimi i MPB-së ndalon regjistrimin, por jo edhe sigurimin e automjetit.
“Të gjitha ato dëme që shkaktohen pa sigurim e nëse flasim me statistika vitin e kalum komplet damat që janë kon fajtor ishte 4.4 milionë euro që i bie këto mjetet do të rimbursohen nga fajtori”, tha ai.
Mazreku edhe njëherë u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos qarkullojnë pa policë të sigurimeve, pasi që dëmet do të jenë shumë të mëdha.