Kurti: Në dialog me Serbinë do të nisë kapitull i ri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në dialogun me Serbinë do të nisë një kapitull i ri dhe se do të bëhet një diskutim i brendshëm për atë që është arritur në procesin e deritanishëm.

Ai tha se në dialog Kosova duhet të jetë palë e barabartë në çdo aspekt edhe kur caktohet data e takimit.

“Jemi Qeveri e re që ka marrë mbështetje të madhe. Me Qeverinë e re, presidenten e re, ministren e re të Jashtme mund të ketë veç kapituj të rinj. S’ka kapituj të vjetër me Qeverinë e re. Do të bëhet një lloj skenimi i asaj çfarë është bërë dhe s’është bërë deri më tani”.

Kurti në televizionin publik ka thënë se për dialogun do të takohet edhe me liderët e partive opozitare meqenëse është zotuar që për tema të mëdha të Kosovës do të ketë diskutime edhe me opozitën.

Ai foli edhe për takimin e mundshëm të 11 majit duke thënë se kjo s’ishte e konfirmuar nga ana e tij, prandaj edhe refuzoi të shkojë.

“S’ka qenë e konfirmuar me mua. Pa u pajtuar të gjithë s’mund të kemi data të takimit dhe as agjendë të caktuar. Më 18 maj në Bruksel do të ketë darkë pune më gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq sot shpreha qëndrimet tona se muajin maj s’mund të jetë i përshtatshëm për ne. Kapitulli i parë i nisjes së dialogut do të bëhet në muajin qershor, por s’e di për palën serbe se sa është muaji qershor i përshtatshëm”.