Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot Qeveria ka marrë dy vendime që kanë të bëjnë me Bordin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Kurti bëri të ditur se është anuluar vendimi i qeverisë së kaluar për propozimin që i ka bërë Kuvendit për kryetar të Bordit për shkak se nuk është respektuar kuota gjinore, ku prej pesë anëtarëve, vetëm një ishte grua.
“Ndërsa, në fund të mbledhjes, propozimi nga Ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, për bordin e ri të përkohshëm të ARKEP-it, respekton dhe plotëson këtë kuotë. Për shkak se emrat nga qeveria e kaluar nuk ishin votuar gjatë legjislativës së fundit, bordi i ARKEP-it ka mbetur pa mandat afër pesë muaj.
Lista që është miratuar nga kabineti ynë qeveritar sot dhe e cila do të dërgohet në Kuvend përbëhet nga: Nazim Rrahimi– kryetar, Lule Ahmedi – anëtare, Shkumbin Hamiti – anëtar, Rrezarta Duraku Rizaj – anëtare, dhe Arijan Qorrolli – anëtar. Punët e mira bëhen vetëm atëherë kur edhe gratë janë aktive në proceset vendimmarrëse, pra vetëm kur bëhemi bashkë”, shkroi Kurti në Facebook.