23 nga 34 dokumentet e publikuara nga qeveria e re e Albin Kurtit, janë emërime në pozita të reja qeveritare.
Me këso vendime po shquhet kjo periudhë e ekzekutivit që të martën mbushi rrafsh katër javë punë.
Në këto 28 ditë udhëheqjeje është vërejtur edhe mungesa e paraqitjeve të shefit të qeverisë, i cili doli para mediave vetëm një herë në konferencë. Këtë e bëri më 5 prill, kur prezantoi masat anti COVID-19, por jo edhe me të 18-tin kur i ndryshoi ato.
Por Kurti foli para kabinetit të tij, në mbledhje të qeverisë, shtatë herë deri tash.
Me ministrat edhe u tha se e hartoi një program qeverisës që ende nuk i dihen detajet.
“Mungon ende një plan i përgjithshëm që qeveria do të duhej t’ia paraqiste Kuvendit dhe t’ua bënte të qartë qytetarëve se cilat janë prioritetet”,është shprehur Jehona Lushaku, politikologe.
Në gjithë këtë periudhë, analisti Ilir Mirena e veçon një nismë të Ministrisë së Drejtësisë.
“Iniciativa më serioze gjatë kësaj periudhe është për draftimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë”, ka thënë ai.
Por ky thotë se qeveria Kurti II nuk iu përvish ende punëve të mëdha.