Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 101.517 raste nga 500.112 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.072 raste të vdekjes.
IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 87.012 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.433.
Një ditë më parë Qeveria e Kosovës ka vendosur masat e reja anti-COVID.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se në bazë të analizave të fundit, kanë ardhur me propozim vendim për masat e reja që kanë të bëjnë me heqjen e disa kufizimeve të pjesshme.
Sipas vendimit, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë nga ora 22:30 deri në 05:00.
Gastronomia do të lejohet të punojë deri në orën 22:00 ndërkaq shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).
Po ashtu, institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit.
Konviktet lejohet të punojnë sipas rregullit një student në një dhomë.