Nënkryetari i LDK-së dhe ish-ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në emisionin Pressing të T7, foli rreth shkrimit të tij të fundit me të cilin iu adresua kryeparlamentares Vjosa Osmani. Ai tha se nuk do që të komentojë rreth këtyre deklaratave, megjithatë nëse Osmani merret me të, ky i fundit do të publikojë fakte të reja kundër saj.
“Nuk kisha dashur të komentoj më shumë lidhur me Osmanin sepse kam thënë që nuk do të merrem me të. E nëse ajo merret me mua, unë do të flasë edhe gjëra të tjera, histori më të re rreth koalicionit me VV’në”, është shprehur Veliu.
Gjithashtu Veliu tha se nëse i jepet mandati Lidhjes Demokratike të Kosovës, prioritet është formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse.
“Ne kemi deklaruar si subjekt që në rast se na jepet mandati, ne do të jemi të gatshëm ta marrin mandatin dhe ta formojmë qeverinë. Ashtu siç ka thënë edhe kryetari Mustafa, dëshirë e jona është që të kemi një qeveri gjithëpërfshirëse”, ka thënë Veliu.
Ai nuk e përjashtoi mundësinë e një qeverie mes LDK-së, Nismës, AAK-së dhe minoriteteve.
“Por, nëse qeveria gjithëpërfshirëse nuk arrihet, atëherë qëndrimi i dytë do të ishte që ne ta marrim mandatin dhe ta formojmë qeverinë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën dhe minoritetet”, shtoi Veliu.