Mbrëmjen e së martës u konfirmuan tetë raste me virusin COVID-19 në fshatin Smrekonicë e Vushtrrisë. Shtatë nga këta persona janë infektuar nga dy familjarë të cilët ishin prekur më herët, ndërsa një tjetër kishte pasur kontakt me po të njëjtën familje, shkruan Express
Drejtori i shëndetësisë në komunën e Vushtrrisë, Sylejman Meholli, ka thënë për Express se 7 nga rastet që u konfirmuan të martën mbrëma janë familjarë të dy të prekurve të mëparshëm në fshatin Smrekobicë.
“Mbrëmë u konfirmuan edhe tetë raste në fshatin Smrekonicë. Shtatë prej tyre janë familjarë të dy personave që janë konfirmuar më herët, ndërsa personi i tetë është nga po i njëjti fshat por që ka pasur kontakte me familjen në fjalë.
Meholli ka treguar se janë në fazën e hulumtimit të kontakteve që personat e prekur me koronavirus mund të kenë pasur me familjarë apo banorë tjerë të fshatit.
“Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës është duke i gjurmuar personat që kanë mundur të kenë pasur kontakte me të prekurit. Momentalisht nuk kemi ndonjë shifër sepse jemi në hulumtim e sipër pasi rastet u konfirmuan mbrëmë vonë”, ka thënë Meholli.
Ndërkohë, Sylejmani ka theksuar se të martën Ministria e Shëndetësisë i ka furnizuar me materiale shpenzuese Qendrat e Mjekësisë Familjare në Vushtrri.
“Dje kemi marrë furnizime nga Ministria e Shëndetësisë, por edhe me mjete vetanake jemi furnizuar. Po presim që të furnizohemi edhe gjatë ditëve në vijim me materiale shpenzuese për QKMF’të e Vushtrrisë”, ka theksuar Mehollu.
Ndërkohë, deri më tani në Kosovë numri i personave të prekur me COVID-19 ka shkuar në 184, derisa janë shëruar 30 dhe të vdekur 5 persona. /GazetaExpress/