Në prill të vitit 2009, ish-Presidenti Fatmir Sejdiu e kishte dekoruar Agim Ramadanin me urdhrin “Hero i Kosovës” duke i njohur kontributin e lartë e veprën e pashoqe të trimërisë së komandantit të UÇK-së. Por, jo shumë gjatë kjo medalje kishte qëndruar në duart e familjes së heroit nga Zhegra e Gjilanit pasiqë në vitin 2014 hajnat e vodhën në banesën e familjes Ramadani në Prishtinë.
Ishte viti 2009 kur Presidenti i parë i Kosovës së pavarur e shpalli Agim Ramadanin, i njohur në luftë si komandant Katana, hero të vendit me motivacionin për trimëri e merita në luftën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Urdhri “Hero i Kosovës”, që iu dha komandantit të rënë në betejën e Koshares, u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës të cilët kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Krahas dekorimit zyrtar, ish-Presidenti Sejdiu i dhuroi familjes së tij dekoratën e punuar nga ari me portretin e Skënderbeut me të cilën shteti i Kosovës e vlerësoi kontributin e “Katanës” gjatë luftës së UÇK-së, ku heroi nga Gjilani kishte shërbyer si komandant.
Por pesë vite pas kësaj ceremonie, banesa e familjes Ramadani në Prishtinë ishte cak i hajnave, të cilët vodhën medaljen presidenciale që ende nuk është gjetur edhe pse kanë kaluar 7 vite nga koha kur ndodhi vjedhja , shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.
Edhe më të dhimbshme ngjarjen e bën data në të cilën ndodhi vjedhja.
Pikërisht në përvjetorin e 15-të të rënies dëshmor të Katanës, për të cilin rast familja e tij gjendeshin në vendlindje, hajnat ia vodhën dekoratën nga ari që ia dhuroi ish-presidenti Sejdiu.
E medalja presidenciale e vjedhur nuk është zëvendësuar ndonëse që nga viti 2014 Kosova kishte dy presidentë: Atifete Jahjaga e Hashim Thaçi.
Asnjëri nga ta nuk ia dhuroi përsëri një dekoratë zëvendësuese megjithë përpjekjet e familjes e raportimet e mediave për këtë rast.
E kontaktuar nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’, Shkurije Ramadani tha se ende nuk është zëvendësuar nga ana e Presidencës dekorata e vjedhur.
Por ajo mbanë shpresa në Presidenten e sapozgjedhur Vjosa Osmani.
“Jo, nuk është zëvendësuar ende. Shpresojmë se presidentja e re do të ketë parasysh këtë humbje tonën të dhimbshme”, tha Ramadani për Reporteri.net.
Gazeta Online “Reporteri.net” ka kontaktuar këshilltarët e Presidentes Osmani në lidhje më këtë çështje duke i pyetur nëse janë të njoftuar për vjedhjen e dekoratës së komandant Katanës dhe nëse planifikojnë t’i dhurojnë një të re familjes së Ramadanit.
Por deri në publikimin e këtij shkrimi, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Dje është shënuar 22 vjetori i vrasjes së Agim Ramadanit në Koshare teksa po udhëheqte operacionin për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.
Në ditën e përkujtimit të heroit nga Zhegra, bashkëshortja e tij tha se që nga ikja e heroit të Kosovës asgjë s’është e njëjtë.
“Vitet bëhen numra e dhembja konstante e mungesės tënde zgjohet kryeneqësisht duke sfiduar durimin e krenarinë edhe pas kaq shumë viteve! Dromcat e lumturisë përzihen me ëndërrat, dëshirat e premtimet e këputura!!! Asgjë nuk është siç ishte më parë!!!”, ka shkruar Ramadani në profilin e saj.
Agim Ramadani (1963-1999) lindi në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit, në Kosovë, me 3 maj të vitit 1963.
Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen shkollën teknike në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.
Komandant Katana, pos gruas, la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Laurinën.