Amerika, e ashpër ndaj Turqisë: Shkelën të drejtat e njeriut, si po përndiqen kurdët dhe mbështetësit e Gylenit

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar  së fundmi Raportin për të Drejtat e Njeriut 2020. Ky raport për Turqinë tregojnë për një bjerrje edhe më të ndjeshme të të drejtave të njeriut krahasuar me vitet e kaluara. Në veçanti, ato duken të zbehura gjer në humbje, kur bëhet fjalë për “ndjekësit” e lëvizjes së klerikut mysliman, Fethullah Gylen, i cili jeton në ekzil të imponuar në Shtetet e Bashkuara dhe nuk bëhet më fjalë thjesht për të liri dhe drejta themelore të njeriut, por për kufizime të qëllimshme që shkojnë edhe përtej kanosjes së të drejtës së jetës.

Në këtë raport ndër të tjera, thuhet: “Nën ombrellën e një legjislacioni tejet të gjerë antiterror, miratuar në 2018, qeveria vazhdoi t’i kufizonte liritë themelore edhe më tej, duke kompromentuar sundimin e ligjit. Që nga përpjekja për grusht shteti 2016, autoritetet kanë shkarkuar ose pezulluar më shumë se 60,000 vetë personel policor dhe ushtarak, si dhe afërsisht 125,000 nëpunës civilë, më shumë se një të tretën e gjyqësorit, arrestuan ose burgosën më shumë se 90,000 qytetarë dhe mbyllën më shumë se 1,500 organizata joqeveritare me akuzë “terrorizmin” – arsye të lidhura, kryesisht për afri të pretenduara me lëvizjen e klerikut Fethullah Gylen, të cilin qeveria turke e akuzon për organizimin e përpjekjes për grusht shteti.

Çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut në rrezik bjerrjeje kanë përfshirë edhe: raporte të vrasjeve arbitrare; vdekje të dyshimta të personave në paraburgim; zhdukje me forcë; tortura; arrestim arbitrar dhe ndalim i vazhdueshëm i dhjetëra-mijëra personave, përfshirë politikanë të opozitës dhe ish-anëtarë të parlamentit, avokatë, gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe punonjës të Misionit Amerikan, për lidhje të supozuara me grupe “terroriste”; etj.

Raporti i DASH thekson se gjatë këtij viti qeveria ka vijuar angazhimin në një përpjekje mbarëbotërore për të kapur anëtarët e dyshuar të lëvizjes “Gylen”.

“Qeveria vazhdoi të kufizonte udhëtimet e huaja për disa qytetarë të akuzuar për lidhje me lëvizjen “Gylen” ose përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit 2016. Në qershor autoritetet hoqën kufizimet e pasaportave për 28,075 individë të tjerë mbi ata të viteve të mëparshme’, citon raporti. /abcnews.al/