Shpetim Mjaku është zyrtar i lartë për menaxhimin e projekteve në Ministrinë e Bujqësisë.
Ai është ndër njerëzit që i vlerësojnë aplikacionet me të cilat fermerët aplikojnë për mbështetje nga buxheti vjetor prej rreth 50 milionë eurosh që është i dedikuar për grante, ndërkaq me kompaninë “Euro Mjedisi” fermerëve ua ka përgatitur më herët planet e bizneseve dhe dokumentacionin për aplikim, shkruan KOHA.
Këtë e ka bërë hapur.
Në dy njoftime që i kishte publikuar në 2018-n në profilin e tij në Facebook, Mjaku tregonte se Ministria kishte hapur thirrjen për aplikim për projekte të zhvillimit rural.
Aty theksohej se të interesuarit mund të aplikonin për ndërtimin e stallave, ndërtimin e serrave, ngritjen e plantacioneve me pemë drufrutore, kompletimin e infrastrukturës së pemishteve ekzistuese, ngritjen e depove të ndryshme për ruajtje, e me projekte të tjera. Pasi tregohej afati brenda të cilit mund të aplikohej, në të njëjtin postim u bëhej thirrje fermerëve ta kontaktonin përpara aplikimit.