1960 të vdekur nga koronavirusi në Kosovë

Më 13 mars të vitit të kaluar në Kosovë u paraqitën dy raste e para pozitive me COVID-19. Nga atëherë e deri më sot 96 mijë e 212 qytetarë janë infektuar me këtë virus, ndërsa 1960 kanë vdekur.

Sipas raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) aktualisht në vend janë 14 mijë e 120 raste aktive me COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit pozitiv kanë rezultuar 871 raste, kurse janë raportuar 12 raste të vdekjes.

“Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 642 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 80.132 raste, kurse numri i rasteve aktive është 14.120”, ka njoftuar IKShPK.

Prishtina mbetet komuna me numrin më të madh të rasteve pozitive COVID-19.

Kujtojmë se që nga data 7 prill kanë hyrë në fuqi masat e reja për mbrojtje nga COVID-19, masa këto të cilat do të zgjasin deri më 18 prill 2021. Me këto masa ndalohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00-05:00.