Blerta Deliu: Dy ditë më parë kam drekuar me Adelina Graincën, më fliste me pasion për PDK-në

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se dy ditë para mbajtjes së seancës për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ka drekuar me Adelina Graincën e cila dje kaloi në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Dy ditë më parë kemi drekuar bashkë në njërën prej lokaleve të Prishtinës. Kemi folur rreth angazhimit politik dhe qasjes që ajo dëshiron të ndjek në angazhimin opozitar, madje Adelina ka folur me pasion për fitoren në zgjedhjet lokale të PDK-së në Ferizaj”, është shprehur Deliu-Kodra, transmeton KlanKosova.tv.

“Kur pashë lajmet në media dje, nuk arrija të kuptoj assesi, që po e njëjta Adelinë që hapur më foli për qasjen e Vetëvendosjes, po defilonte në seancë me Albin Kurtin! Një e sapoardhur në parti e cila u vlerësua maksimalisht nga të gjithë. E shumë të rinj aktivistë të devotshëm të PDK-së nuk e patën fatin e saj, shumë kolege të jashtëzakonshme nuk arritën që të zgjedhen edhe pse dhanë shumë energji e mund”.

Ajo ka cituar disa vargje të shkrimtarit shqiptar Luigj Gurakuqi, derisa ka thënë se Grainca duhet t’i kërkojë falje elektoratit të PDK-së për veprimin e djeshëm.

“Veç nji qëllim i nalt t’ban me durue,
E zemrën ta forcon
Ndër kundërshtime s’vyen kurrë me u ligshtue.
Mjer’ ai që nuk qindron!”.