Ministres në detyrë të të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari sot i ka vdekur babai, por ajo pavarësisht kësaj ka dalë sot në konferencë për medie së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Kështu ka bërë të ditur, Kurti gjatë konferencës për shtyp, ku u bë e ditur se është shkarkuar një pjesë e menaxhmentit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.
“Ministrja jonë zonja Rozeta Hajdari sot në mëngjes ka pasur rast vdekje, i ka vdekur babai, por gjithë ditën ka punuar sepse është e vendosur kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovën tonë të dashur. Pas kësaj konference për media, Rozetës do i duhet të shkoj në Pejë, që të përgatis me familjarët e saj ceremoninë e varrimit të babait”, tha ai.
Kurti u zotua se përkushtimi i Qeverisë Kurti, ani pse në detyrë , është maksimal në luftimin kundër korrupsionit.
E kur kjo e fundit u pyet për emrat e anëtarëve të bordit të shkarkuar, Rozeta Hajdari tha se është e mërzitur dhe se nuk i di të gjithë emrat.
“Nuk jam e sigurtë për emra, sepse sot siç iu tregoi edhe kryeministri, jam pak e mërzitur dhe nuk kisha shkuar me emra”, tha Hajdari.