Reuters për Osmanin: Ajo përfaqëson të rinjtë e frustruar me nepotizmin e partive tradicionale

Agjencia e lajmeve “Reuters” ka shkruar pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente të Kosovës.

Në artikull thuhet se Parlamenti i Kosovës ka zgjedhur 38-vjeçaren të arsimuar në SHBA, profesoreshë e juridikut si presidente të vendit pas zgjedhjeve të cilat janë mbajtur në shkurt.

Siç thuhet në artikull, Vjosa Osmani kishte marrë rolin e ushtruesit të detyrës së presidentes në nëntor kur ish-presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës për krime lufte nga Gjykata Speciale. Mandati fillestar i Osmanit skadoi kur Qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sipas Reuters, të dielën parlamenti me 120 vende votoi pro emërimit të Osmanit presidente me 71 vota.

“Partitë opozitare dhe shoqëria civile e ka kritikuar kandidimin e saj duke thënë se pozitat e presidentit, kryeministrit dhe kryekuvendarit janë të së njëjtës parti, dhe një gjë e tillë do ta dobësojë demokracinë”, thuhet tutje në artikull.

Sipas Reutersit, Osmani përfaqëson një lloj të riu kosovar të njohur me jetën në Perëndim dhe të frustruar me nepotizmin dhe joefektivitetin e partive tradicionale të vendit.

“Në një fjalim, Osmani bëri thirrje për një dialog që synon normalizimin e lidhjeve me Serbinë, por tha se Beogradi së pari duhet të kërkojë falje dhe të ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës për krimet e luftës të kryera gjatë luftës 1998-99 që çuan përfundimisht në pavarësimin e Kosovës në 2008”, thuhet në artikull.

“Deri në shtatorin e kaluar ajo ishte me Lidhjen Demokratike të Kosovës, më pas ju bashkua Kurtit. Ajo nuk mban ndonjë pozitë në Lëvizjen Vetëvendosje por ka qenë prijëse e listës në zgjedhjet e mbajtura në shkurt. Ajo është e martuar dhe ka dy vajza”, thuhet tutje në artikull.