Për shkak të mungesës së kuorumit, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, e filluar të shtunën, është shtyrë për sot.
“Seanca do t’i vazhdojë punimet nesër, më 4 prill në orën 17:00”, tha kreu i kuvendit, Glauk Konjufca.
Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmanin. Kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.
Raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.
Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.
Tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, pavarësisht se ishin në sallë gjatë votimit, nuk morën pjesë në këtë proces.
Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.
I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit.